Manchester City ka konfirmuar zyrtarisht se kanë vazhduar bashkëpunimin me trajnerin Pep Guardiola (1971). Trajneri spanjoll ka vazhduar kontratën deri në vitin 2025 me kampionin në fuqi me Ligën Premier.

“Manchester City është i kënaqur të njoftojë se Pep Guardiola ka nënshkruar një kontratë të re dyvjeçare. Marrëveshja e tij e fundit do të thotë se ai do të qëndrojë në Etihad deri në verën e vitit 2025. Koha e Guardiolës në City është e ngarkuar me suksese. Ai deri më tani ka fituar 11 trofe të mëdhenj, duke përfshirë katër nga pesë titujt e fundit të Ligës Premier. Në të gjitha garat, ai ka fituar 271 nga 374 ndeshjet që ka drejtuar, duke i dhënë atij një përqindje të jashtëzakonshme fitoresh prej 72.4 për qind. City ka shënuar 921 gola gjatë asaj periudhe, me një mesatare prej 2.46 gola për lojë. Në të vërtetë, 374 ndeshjet e tij në krye do të thotë se është i dyti vetëm pas Les McDowall , i cili menaxhoi 587 ndeshje nga 1950 – 1963 – në listën e Cityt të trajnerëve më jetëgjatë”, – shkruan komunikata e tyre.

Paga e tij aktuale është 19.5 milionë stërlina (22.5 milionë euro)  në sezon, dhe kontrata e re thuhet se është më e lartë por akoma nuk dihet shuma fikse.

Dhe Guardiola foli për kënaqësinë e tij për të mbetur trajner i Cityt deri në verën e vitit 2025.

“Jam shumë i kënaqur që do të qëndroj në Manchester City edhe për dy vite të tjera. Nuk mund t’u them mjaftueshëm faleminderit të gjithëve në klub që më besuan. Jam i lumtur dhe rehat këtu. Kam gjithçka që më nevojitet për të bërë punën time sa më mirë. Unë e di se kapitulli tjetër i këtij klubi do të jetë i mrekullueshëm për dekadën e ardhshme. Kjo ka ndodhur gjatë dhjetë viteve të fundit dhe do të ndodhë në dhjetë vitet e ardhshme sepse ky klub është shumë i qëndrueshëm. Që nga dita e parë ndjeva diçka të veçantë duke qenë këtu. Nuk mund të jem në një vend më të mirë. Unë kam ende ndjenjën se mund të arrijmë më shumë së bashku dhe kjo është arsyeja pse unë dua të qëndroj dhe të vazhdoj të luftoj për trofe. ”, – tha trajneri spanjoll.