Presidenti i Tiranës, Refik Halili, pas prezantimit të trajnerit Julian Ahmataj para skuadrës ka folur edhe për mediat e pranishme në terrenin stërvitor. Halili ka pohuar se Ahmataj është trajner i përkoshëm, si dhe i ka mëshuar faktit se Orges Shehi është i pezulluar deri në fund të majit 2024.

Halili pohoi se Shehi po e feston pezullimin me presidentin e Dinamos Ardian Bardhi dhe njerëzit e tij, gjë të cilën ai e paraqiti me foton që i kishte mbërritur në telefonin e tij kur po fliste për mediat. Edhe pse duket se ka pëlqime nga klube të ndryshme për Shehin ky bëjnë pjesë edhe rivalët e kryeqytetit, Refik Halili është vendosur për ta bllokuar Orges Shein, sipas kontratës, deri në maj të 2024-ës. Mbete të shikohet se sa stoik do të jetë presidenti i Tiranës në këtë qëndrim të tij për Shehin. Ja reagimi presidentit Halili gjatë pasdites së sotme për mediat:

“Tirana është një klub me tradita dhe shumë i rëndësishëm. Jemi para skuadrës për të diskutuar dhe bërë më të mirën, sepse jemi para një ndeshje ku nuk kemi shumë kohë. Kemi bërë një skuadër që nuk shkon me këto rezultate të dobëta në dy ndeshjet e fundit. Kontigjenti është shumë i mirë dhe shpresojmë që në ditë dhe javët në vazhdim do të bëjë kthesën po ashtu kemi pasur një trajner, i cili them se ka qenë trajner i mirë. Ndoshta është kjo që rezultatet, bëjnë që kur gjërat nuk shkojnë mirë në skuadër, gjithmonë duhet bërë një ndërhyrje. Ndaj ne menduam që të ndërhyjmë duke larguar trajnerin nga skuadra, për të cilin kemi njoftuar s kemi një marrëveshje dhe do ta zbatojmë deri në fund duke i dhënë një pezullim dhe për të vazhduar e respektuar kontratën që kemi deri në fund të sezonit.

Për sa u përket drejtimit të skuadrës, nuk kemi kohë ndaj kemi menduar që të vendosim trajner nga akademia jonë. Ndaj kam menduar që të vendosim kryetrajnerin e skuadrës së të rinjve, Julian Ahmatajn me stafin e tij, si dhe stafi i cili është prezent sot pranë skuadrës. Pra do të jetë një trajner i përkohshëm.”

Për sa kohë do të jetë pezullimi i Shehit?

Ju thashë, kontrata vazhdon. Të mos bëjmë pyetje të tilla, pasi kontrata vazhdon deri në fund të muajt majit të vitit të ardhshëm.

Nëse trajneri Shehi do të ketë ndonjë ofertë, ju do ta lini të lirë?

Unë erdha t’u jap këto shpjegime. Në vazhdim do të flasim, dhe për sa i përket kësaj besoj se jam i qartë, Unë kam ardhur këtu të flas me skuadrën, ku përveç tyre kam biseduar edh me stafin. Si përfundim, për t’u dhënë përgjigje asaj që më pyetet, sapo më erdhi një foto e botuar nga njerëz tanë të afërt ku Orges Shehi po feston sotme presidentin e klubit Dinamo në një lokal luksoz me njerëzit e tij. Sapo e mora këtë foto, kështu që çfarë kisha për të thënë, ua tregova. E rëndësishme është që skuadra të ecë përpara. Shehi është i pezulluar, siç ua thashë, nuk ka marrëveshje tjetër veç asaj që është edhe në faqen e klubit Tirana. Ne do ta zbatojmë deri në fund.

President, rezultatet janë vetëm për faj të Shehit apo edhe të skuadrës?

Në ditët në vazhdim do të flasim më gjatë.

Trajneri Ahmataj do të jetë në varësi të rezultateve, apo thjesht provizor dhe po mendoni trajner tjetër?

Besoj se jemi të qartë se Julian Ahmataj dhe gjithë stafi janë sot në dispozicion të skuadrës për të bërë më të mirën, pasi ky ekip dhe grip lojtarësh meriton që të jetë shumë e shumë më lart. Unë nuk kam frikë fare, nuk e shikoj situatën alarmante. Nuk na pëlqejnë këto rezultate dhe kjo skuadër do të shkoj shumë para dhe për këtë jam i bindur.