Roma ka njoftuar zyrtarisht transferimin e anësorit sulmues të krahut të djathtë norvegjez, Ola Solbakken (1998) si lojtar lirë.

24-vjeçari u bë një emër i njohur sezonin e kaluar pasi shënoi tre gola në dy ndeshje të Ligës së Konferencës së Evropës kundër Giallorossëve, duke tërhequr vëmendjen e një numri klubesh në mbarë Evropën.

Solbakken e përfundoi sezonin e kaluar me 11 gola dhe 9 asistime në 32 ndeshje në të gjitha garat, duke e mbyllur mirë aventurën e tij në Bodo/Glimt.

Solbakken shënoi 20 gola dhe dha 24 asistime në 91 paraqitje në të gjitha garat për Bodo/Glimt.

Siç njofton Roma, Solbakken ka nënshkruar një kontratë katërvjeçare e gjysmë me klubin, duke e mbajtur atë në kryeqytetin italian deri në 30 qershor 2027. Ai do të mbajë fanellën me numrin 18 për Giallorossi.

Solbakken u shpreh i lumtur për transferimin në kryeqytetin italian, duke nënvizuar dëshirën e tij për t’iu bashkuar Romës.

“Unë u përpoqa shumë për të realizuar dëshirën time. Doja shumë të bëhesha lojtar i Romës dhe më në fund tani është një realitet. Roma më bëri përshtypje menjëherë, besoj shumë në projektin dhe planet e klubit dhe doja të isha pjesë e tij. Unë vij këtu për të mësuar dhe përmirësuar, por edhe për të treguar se çfarë mund të bëj. Tifozët e Romës janë më të mirët që kam parë ndonjëherë dhe mezi pres të luaj për ta”, – ka thënë ai në prezantimin te Roma.