Barcelona ka konfirmuar se ka nënshkruar me trajnerin Ronald Koeman (1963) një kontratë deri më 30 qershor të vitit 2022.
Strategu holandez u largua nga Tulipanët, për të realizuar ëndrrën e tij të hershme për të drejtuar skuadrën katalunase.
Blaugranasit do të paguajnë dëmshpërblim te kombëtarja e Holandës për shërbimet e Koeman deri në 5 milionë euro për prishje të kontratës.
Por, sipas mediave katalunase – është vetë strategu që ka pranuar të ulë pagën e tij dhe të paguajë shumën e kërkuar nga holandezët, vetëm që të ulet në bankinën e skuadrës.
Barcelona e filloi sezonin me Ernesto Valverden, për ta shkarkuar atë dhe e zëvendësoi me Quique Setienin.
Ky i fundit e mori skuadrën në vendin e parë në La Liga, mirëpo e humbi garën për titull kundër Real Madridit, për të pasuar me eliminimin 8-2 që ua bëri Bayern Munchen në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Pas shkarkimit të Setien, skuadra nga Katalunia vendosi të rikthente Koemanin në skuadër, por tani si trajnerin e tyre.
Kush është Ronald Koeman?
Koeman është një figurë mitike e Barcelonës. Holandezi kishte shënuar golin vendimtar për katalunasit në vitin 1992 në stadiumin Wembley, për t’ju fituar Kupën Evropiane për herë të parë në histori.
Ishte një pritje e gjatë për këtë trofe, pas shumë dështimeve, ku kujtohet humbja ndaj Steaua Bucurestit në Sevillë. Ai ishte lojtari më premtues në formacionin e ëndrrave të Johan Cruyffit dhe ka kaluar gjashtë vite me skuadrën e Barçës (1989-95).
Ai ishte njëri ndër liderët e skuadrës dhe mbante disa rekorde si më së shumti gola të shënura nga ndërhyrje t palejueshme ( e thyer nga Lionel Messi) dhe mbrojtësi me më së shumti gola në hisotir të La Ligës (rekord i thyer në këtë edicion nga Sergio Ramos).
Koeman u largua nga Barcelona në vitin 1995 për të luajtur edhe për 2 vite të tjera te Feyenoordi. Ai u pensionua nga futbolli, ku kishte fituar trofe si, Kupën Evropiane, Ligën e Holandës dhe katër La Liga.
Më pas ai filloi profesionin si trajner. Fillimisht ishte asistent i Louis van Gaalit, mirëpo zgjati vetëm një vit. Më pas mori drejtimin e disa skuadrave si në Portugali, Holandë, Spanjë e Angli. Kishte faza të ndryshme. Në Holandë, ai ishte trajner i pesë skuadrave të ndryshme dhe fitoi tre tituj, dy me Ajaxin dhe një me PSV-në.
Në Spanjë, ishte në krye të skuadrës së Valencias në edicionin 2007/08. Ai largoi nga skuadra tre veteranë si, Albelda, Angulo dhe Canizares, Problemet për të në skuadër ishin konstante, mirëpo kjo gjë nuk e ndaloi atë të fitonte një trofe. Natyrisht, me situatën e krijuar atij iu desh që të largohej nga klubi në fund të edicionit.
Në Ligën Premier, ai ishte trajner i Southamptonit dhe Evertonit, me të cilët nuk fitoi tituj, por transferoi lojtarët që tashmë janë të dalluar si, Virgil Van Dijk e Sadio Mane (që të dy aktualisht te Liverpooli).
Së fundmi, ai ishte në krye të kombëtares së Holandës.