Klubi spanjoll, Sevilla ka shkarkuar edhe zyrtarisht trajnerin e tyre, Julen Lopetegui (1966), pas një fillimi të tmerrshëm të sezonit.

Sevilla e ka nisur në mënyrën më të keqe sezonin e tyre duke fituar vetëm një ndeshje nga shtatë javët e para në La Liga dhe duke humbur dy dhe barazuar një nga tri ndeshjet e para të grupeve në Ligën e Kampionëve.

Kjo formë e dobët e sidomos humbja e fundit në shtëpi nga Borussia Dortmund me rezultat 4-1 ka bërë që drejtuesit e klubit të vendosin largimin e Lopeteguit.

Është vet klubi andaluzian që ka njoftuar me anë të faqeve zyrtare se kanë ndarë rrugët me trajnerin e njohur.

Sevilla FC ka liruar Julen Lopeteguin nga detyrat e tij si trajner i ekipit të parë pas përplasjes sonë kundër Borussia Dortmund”, – thuhet në njoftim.

Ndryshe, trajneri bask kaloi pak më shumë se tre sezone në krye të Sevillas, duke udhëhequr ekipin në 170 ndeshje. Në total, ai mori 89 fitore, 45 barazime dhe 36 humbje.

Lopetegui gjithashtu fitoi trofeun e Ligës së Evropës me klubin nga Andaluzia, ndërsa mban rekordin e më shumë pikëve me Sevillan.