Vllaznia ka dhuruar menjëherë një rezultat shumë interesant në startin e vitit 2023 teksa ka mundur Partizanin kryesues me një fitore 2-1 me përmbysje në fushën e skuadrës kryeqytetase.

Shkodranët kishin ardhur me synime të qarta në Tiranë për të hapur edhe një herë luftën për titull dhe në pjesën e parë dominuan përballë të kuqve duke krijuar raste e duke thumbuar vazhdimisht portën e Rexhepit. Por ata nuk ia dolën që të shënonin dhe pjesa e parë u mbyll pa gola.

Lëvizjet e Kolelës në pjesën e dytë rezultuan efikase teksa Partizani shënoi golin e avantazhit me anë të Maget të aktivizuar si zëvendësues. Por të kuqtë nuk ia dolën të mbyllnin ndeshjen dhe shkodranët i goditën me Jonuzin duke barazuar shifrat dhe në minutën e 90 me Çobën i cili i dha suksesin skuadrës së tij.

Kështu, lufta për titull rihapet përsëri dhe të kuqtë humbasin distancën e krijuar me ekipet ndjekëse.

PARTIZANI – VLLAZNIA 1-2:
62′ Maget / 77′ Jonuzi, 90′ Çoba

Tirana e ka nisur vitin 2023 me një fitore me përmbysje në transfertë përballë Laçit në javën e 16-të të Superiores.

Sfida nisi menjëherë me një ritëm të lartë, kur kurbinasit gjetën avantazhin që në minutën e 2’ me Shkurtajn pas një gabimi në zonën e bardhebluve.

Gjithsesi miqtë nuk u dorëzuan duke provuar shumë, me golin që erdhi në fundin e pjesës së parë.

Në startin e pjesës së dytë, kampionët në fuqi përmbysën shifrat duke kaluar në avantazh, me rezultatin që nuk ndryshoi më pas deri në fund të takimit.

Kështu Tirana vazhdon të qëndrojë në vendin e dytë në renditje, me 28 pikë, një më pak se Partizani kryesues, me këtë të fundit që do të përballet me Vllazninë. Nga ana tjetër, Laçi komplikon gjërat për garën për Europën, duke vazhduar të qëndrojë në vendin e 6-ë me 20 pikë.

LAÇI – TIRANA 1-2:
Shkurtaj 2′ / Lulaj 45+4′, Hasani 47′

Bylisi dhe Kukësi kanë ndarë pikë në javën e 16-të të Kategorisë Superiore.

Mundësia më e mirë për ballshiotët erdhi në minutën e 67′ me Stiven Jankun, por që nuk arriti të shënonte. Ndërsa rasti ideal për Kukësin erdhi në minutën e 76′ me Edi Bashën. Ai gjuajti shumë fort topin, por u ndal nga portieri Teqja. Në minutat e fundit ballshiotët u ndëshkuan dhe mbetën me 10 lojtarë. Arbitri Enea Jorgji ndëshkoi me karton të kuq Aldo Qoshkun. Teksa po luheshin minutat shtesë edhe Kukësi ngeli me 10 lojtarë, pasi Barbosa u largua pas një ndërhyrje të ashpër.

Pas këtij barazimi Bylisi renditet në vendin e 8-të me 17 pikë ndërsa Kukësi në të 9-in me 16 pikë.

BYLIS – KUKËSI 0-0: