Bayern Munich e ka fituar Ligën e Kampionëve për edicionin 2019-2020, pasi në finale mposhti Paris Saint-Germain me rezultat minimal 1-0.

Kylian Mbappe e kishte një shans të mirë në minutën e 14-të, mirëpo që goditja e tij përfundoi jashtë portë.

Rast të artë për të kaluar PSG-në në epërsinë e kishte edhe Neymari (17’), mirëpo goditjen e tij e ndali Manuel Neuer.

Në minutën e 22-të, Robert Lewandowski ishte i pafat, pasi portieri Keylor Navas ishte i mposhtur, mirëpo shtylla vertikale i mohoi golin.

Në minutën e 29-të, Ander Herrera lëshoi një predhë në drejtim të portës së Neuerit, mirëpo Leon Goretzka e devijoi topin në korner, mirë Daniele Orsato nuk e dha rivënien nga këndi.

Në pjesën e dytë, Bayern Munich ishte disi më kërkues dhe mundi i tyre u shpagua.

Në minutën e 59-të, Joshua Kimmich asistoi për Kingsley Comanin që shënoi gol të bukur me kokë në portën e Keylor Navas.

PSG tentoi më pas t’i barazonte shifrat, mirëpo skuadra gjermane nuk lejoi hapësira në mbrojtje.

Thomas Tuchel tentoi që me disa zëvendësime të barazonte ndeshjen, por ishte e pamundur.

Bayern Munchen e fitoi Ligën e Kampionëve për herë të 6-të në histori, derisa sezonin për ta mbyllet me tripletën, Bundesliga dhe DFB Pokal.